Shenjat e mëdha të Kiametit [HUTBE]!

HomeUncategorized

Shenjat e mëdha të Kiametit [HUTBE]!

Autor. Shenjat e mëdha ende nuk kanë ndodhur. Ato do të ndodhin shumë afër Kiametit dhe do të ndodhin njëra pas tjetrës, ndërsa renditja e

Mbi 105 mijë kosovarë aplikuan për viza pune në Gjermani veç për dy muaj!
Vihet gurthemeli i xhamisë së re në Gjilan!
Lutja Kur Nisesh Për Udhëtim…!

Autor.

Shenjat e mëdha ende nuk kanë ndodhur. Ato do të ndodhin shumë afër Kiametit dhe do të ndodhin njëra pas tjetrës, ndërsa renditja e tyre nuk dihet saktë. Pra, nuk dihet se cila shenjë vjen para e cila pas. Ajo që dihet është paraqitja e Dexhallit, pastaj vjen zbritja e Isait ﷺ , e pas tij shfaqen jexhuxhët dhe mexhuxhët.

Dijetari i njohur, Ibn Haxheri, thotë: “Paraqitja e Dexhallit është shenja e parë e madhe, e cila aludon në ndryshimin e gjendjes në Tokë, dhe kjo përfundon me vdekjen e Isait ﷺ . Ndërkaq, lindja e Diellit prej perëndimit është shenja e parë e madhe e cila aludon në ndryshimin në kozmos, dhe kjo përfundon duke u bërë Kiameti.”

Hudhejfe ibn Usejd Gifariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po bisedonim mes vete, na erdhi Pejgamberi ﷺ dhe na tha: “Çfarë po bisedoni?” I thamë: “Për Kiametin.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Kiameti nuk do të ndodhë derisa t’i shihni para tij dhjetë shenja të mëdha” – dhe përmendi: “Tymin, Dexhallin, kafshën, lindjen e Diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait, të birit të Merjemes ﷺ, jexhuxhët dhe mexhuxhët, tri vithisjet: një në lindje, një në perëndim dhe një në Gadishullin Arabik, ndërsa shenja e fundit do të jetë një zjarr që do të dalë nga Jemeni dhe do t’i dëbojë njerëzit nga vendtubimi i tyre.”[1]

Fjala dexhele, arabisht, do të thotë përzierje, mashtrim.
Kështu, fjala Dexhall do të thotë: gënjeshtar dhe mashtrues i madh.

Dexhalli është njeri. Të gjithë pejgamberët kanë folur për të. Pejgamberi ﷺ na ka treguar një pjesë të madhe të cilësive të tij, ashtu që ta njohim e të largohemi prej tij dhe të mos i besojmë atij.

Dexhalli është një djalosh në moshë të re, i kuq, me trup të shkurtër, flokëkaçurrel, ballin e ka të dalë, me shpat të gjerë, ndërsa syrin e djathtë e ka të fshirë (të errët e të verbër). Mes dy syve i shkruan: kfr (kafir – jobesimtar) dhe këtë fjalë do ta lexojë çdo musliman. Dexhalli do të shfaqet prej lindjes, prej Horasanit, përkatësisht Iranit të sotëm. Ai do ta shëtisë tërë botën dhe do të hyjë në të gjitha vendbanimet, në përjashtim të Mekës dhe Medinës, të cilat i ruajnë melekët, rrjedhimisht në këto dy vende nuk do të mund të hyjë fare.

Sprova e Dexhallit është shumë e madhe. Ai do të ketë në dispozicion edhe disa mrekulli, ashtu që Allahu do t’ia lejojë të bëjë disa gjëra jo të zakonshme. Dexhalli do ta urdhërojë qiellin dhe do të bjerë shi. Do ta urdhërojë tokën dhe do të nxjerr bimë. Ai do të lëvizë nëpër tokë me shpejtësi shumë të madhe.

Shikoni vëllezër, për ta bërë më të rrokshëm çështjen e Dexhallit, po sjell një shembull: sot ka magjistarë të cilët bëjnë disa gjëra të çuditshme, për t’i lajthitur njerëzit, vetëm për përfitime personale. Ndërkaq, Dexhalli do të jetë edhe më i rrezikshëm, sepse ai do ta shëtisë tokën dhe do të pretendojë se është Zoti. Përfundimi i Dexhallit do të jetë nga duart e Isait ﷺ .

Isai ﷺ do të zbresë te Minarja e Bardhë Lindore në Damask. Rreth Isait ﷺ do të tubohen burra të mirë. Kur Dexhalli të niset nga Bejtul Makdisi, Isai ﷺ do ta zërë, te Porta e Ludit, afër Bejtul Makdisit. Kur Dexhalli ta shohë Isain ﷺ , do të fillojë të shkrihet sikurse kripa në ujë, porse Isai ﷺ do ta arrijë dhe do ta vrasë atë.

Isai ﷺ do të gjykojë me drejtësi. Në kohën e tij nuk do të ketë urrejtje e as zili. Do të ketë shumë pasuri, saqë askush më nuk do ta pranojë sadakanë. Isai ﷺ do të qëndrojë në tokë shtatë vjet.

Në fillim përmenda se duhet të ikim ose duhet të largohemi nga Dexhalli dhe assesi të mos përballemi me të. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush dëgjon për Dexhallin (se është shfaqur), le të largohet prej tij.” Këtë e përsëriti tri herë, pastaj shtoi: “Ndodh që ndonjë njeri të shkojë tek ai dhe ta pasojë atë, sepse mendon se është i vërtetë, për shkak të dyshimeve që i shpalos.”[2]

Ky largim dhe kjo ikje nuk është vetëm për Dexhallin, porse besimtari duhet të ikë edhe nga fitnet e nga trazirat e tjera. Nuk duhet të thotë: Unë jam besimtar i fortë, mua nuk më dëmton ndeja me filan personin që flet vetëm dyshime në besim, ose në filan vendin ku ka vetëm harame e ideologji të shtrembëruara. Jo! Mos shko fare tek ata, sepse të tillët promovojnë vetëm helme që mund të ta helmojnë zemrën që e ke të mbushur me ëmbëlsinë e imanit.

Pjesa e dytë e hutbes

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shpejtoni në vepra të mira para se të shfaqen gjashtë (shenja të Kiametit ose sprova): lindja e Diellit nga perëndimi, shfaqja e tymit, e Dexhallit, e kafshës, pengesave personale (sëmundja, varfëria, vdekja etj.) ose çështjeve kolektive (pozita, shoqëria, Kiameti etj.).”[3]

Po pra, Pejgamberi ﷺ na nxit të shpejtojmë në vepra të mira, sidomos kur dihet se dera e pendimit do të mbyllet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që pendohet, para se të lindë Dielli prej perëndimit, Allahu ia pranon pendimin.”[4]

Po ashtu ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë derisa të lindë Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta shohin, të gjithë do të besojnë.”[5]

Mirëpo, atëherë do të jetë vonë!

Shikoni vëllezër shokët e Pejgamberit ﷺ për çfarë interesoheshin: në hadithin ku përmendet se Dexhalli do të qëndrojë në tokë dyzet ditë, sahabët pyetjen që bën ishte namazi. Nevas ibn Semani tregon se, kur Pejgamberi ﷺ e përmendi Dexallin, sahabët e pyetën sa do të qëndrojë në Tokë dhe Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Dyzet ditë: një ditë do të jetë sa një vit, një ditë tjetër sa një muaj, një ditë tjetër sa një javë, kurse ditët në vijim do të jenë sikurse ditët tuaja.”

Atyre nuk u interesoi çështja e gjumit, e punës ditore, e nxehtësisë, por u interesoi çështja e namazit.

Ata pyetën: “O i Dërguari i Allahut, po në këtë ditë që është sa një vit, a na mjaftojnë namazet e një dite?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Jo, por çdo namaz e llogaritni sipas kohës (normale).”[6]

Mu për këtë shenjat e Kiametit janë gjëra që na e shtojnë besimin dhe me to duhet t’i shtojmë veprat e mira. Pra, besimi me vepra të mira, së bashku.

Kur e pyetën Pejgamberin ﷺ : “Kur është Kiametit?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Çfarë ke përgatitur për të?!”

Çështja: “Çfarë ke përgatitur për Ditën e Gjykimit?” është shumë më e rëndësishme sesa ta dish momentin e saktë se kur do të ndodhë Kiameti.

[1] Muslimi nr.2901.

[2] Ahmedi nr.19968 dhe e saktëson shejh Shuajbi.

[3] Muslimi nr.2947.

[4] Muslimi nr.2703.

[5] Buhariu nr.4636.

[6] Muslimi nr.2937.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0