Pyetje:Si të përgatitem nga ana fetare kur më lind një foshnje?

Homepyetje

Pyetje:Si të përgatitem nga ana fetare kur më lind një foshnje?

Pyetja: Si të përgatitem nga ana fetare kur më lind një foshnje? *** Përgjigja: Së pari: I lutemi Allahut që t’a bekojë foshnjën t

A e dini pse duhet të flini me dyert mbyllur!
A shpërblehet ai që e lexon Kuranin edhe nëse nuk e kupton atë?
Pyetje:A pranohet namazi ku ke papasterti ne rrobe?

Pyetja:

Si të përgatitem nga ana fetare kur më lind një foshnje?

***

Përgjigja:

Së pari: I lutemi Allahut që t’a bekojë foshnjën tuaj që do të lindë dhe t’a bëjë atë prej njerëzve të drejtë dhe të devotshmëm, në mënyrë që të bëjë pjesë në peshoren e veprave tuaja të mira. Përcillet nga i Dërguari i Allahut [ﷺ] se ka thënë: “Kur vdes biri i Ademit të gjitha punët e tij ndërpriten, me përjashtim të tri veprave: Sadakaja (rrjedhëse) e vazhdueshme, dija e dobishme (prej të cilës njerëzit përfitojnë) dhe fëmija i mirë që lutet për të (prindin).” [1]

Së dyti: Nuk ka asnjë veprim të përshkruar në sheriat (legjislacion) që flet për përgatitjen e ardhjes së foshnjës në jetë, një ose dy ditë para se të lindë, me aq sa dimë! Por mund të përdoren lutje të përgjithshme, të tilla si lutja që i porsalinduri të jetë shëndoshë e mirë, i udhëzuar në të ardhmen etj.

Allahu përmend në Librin e Tij lutjen e gruas së devotshme gruas së Imranit, e cila tha: “Kujto kur gruaja e Imranit tha: Zoti im, unë Ty t’a kam kushtuar atë që është në barkun tim që të të shërbejë vetëm Ty, andaj pranoje prej meje se Ti me të vërtetë dëgjon dhe di çdo gjë. E kur ajo lindi, tha: Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo -, e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar.“ Ali Imran: 35-36

Më poshtë do të përmendim disa gjërave që mund të praktikohen në ditën e lindjes së fëmijës:

1 – Është i pëlqyeshëm tahniku (zbutja e diçkaje të ëmbël dhe mëkimi) i foshnjes dhe lutja për të.

Transmetohet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: “Unë u shtova me një djalë dhe e solla atë tek Profeti [ﷺ]. Ai e quajti Ibrahim, i bëri Tahnik me disa hurma dhe u lut që Allahu t’a bekojë, pastaj ma ktheu përsëri.” [2]

Tahnik do të thotë të vendosësh diçka të ëmbël si hurma ose mjalti, në gojën e fëmijës të sapolindur.

2 – Lejohet që fëmijës t’i vendoset emri qysh ditën e parë, ose edhe ditën e shtatë të lindjes së tij.

Transmetohet se Enes ibn Malik ka thënë: I Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: “Këtë natë më lindi një djalë dhe unë e kam quajtur atë me emrin e babait tim Ibrahim.” [3]

Aisha përcjell duke thënë: I Dërguari i Allahut [ﷺ] bëri kurban për Hasanin dhe Husejnin në ditën e shtatë dhe u vuri edhe emrat e tyre. [4]

3 – Kurbani dhe synetia.

Transmetohet nga Selman bin Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti [ﷺ] ka thënë: “Për djalin duhet të theret një kurban. Bëni kurban për të dhe largojeni dëmin prej tij (duke e bërë synet).“ [5]

Transmetohet se Semurah bin Xhundub (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: I Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: “çdo fëmijë është peng i kurbanit të tij. Ditën e shtatë duhet të theret kurbani (akika) për të, t’i vihet emri dhe t’i qethet koka.” [6]

Imam Ibn el-Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Prej dobive të akikas (kurbanit për fëmijën):

– Është sakrificë me anë të së cilës fëmija i afrohet Allahut menjëherë pasi vjen në këtë botë.

– E nxjerr nga pengu të porsalindurin sepse ai është peng i kurbanit (akikas), dhe në mënyrë që ai të mund të ndërmjetësojë për prindërit e tij.

– Është sakrificë me anë të së cilës i porsalinduri shpaguhet ashtu si Allahu e shpagoi Ismailin me dashin. [7]

Ndoshta një përfitim tjetër i akikës (kurbanit për të sapolindurin) është mbledhja e të afërmve dhe miqve në tryezën e ushqimit.

Ndërsa Synetia (rrethprerja) është pjesë e Sunen el-Fitrah (praktika që lidhen me prirjet e pastra dhe natyrore të njeriut). Synetia është e detyrueshme në rastin e djemve sepse lidhet me çështje pastërtie të cilat janë kushte thelbësore të namazit.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Pesë gjëra kanë të bëjnë me Fitran (praktika që lidhen me prirjet e pastra dhe natyrore të njeriut): synetia, heqja e qimeve në pjesët intime të trupit, shkulja e qimeve nënsqetulla, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.” [8]

Së treti: Në grupin e traditave të mira që praktikohen tek foshnja i porsalindur, dijetarët kanë përmendur edhe Ezanin që i këndohet foshnjes në veshin e djathtë. Kjo në mënyrë që gjëja e parë që dëgjon foshnja kur vjen në këtë botë të jetë dëshmia e Teuhidit (monoteizmit). Ata kanë treguar se kjo lë gjurmë të mira dhe të begata tek i porsalinduri. Ndërsa këndimi i ikametit në veshin e majtë të foshnjes nuk është saktësuar. [9]

Së katërti: Rruajtja e kokës së fëmijës pastaj vajosja e kokës me shafran është shumë e dobishme. Pas kësaj është e këshillueshme që të bësh bamirësi në ar ose argjend aq sa peshojnë flokët e të porsalindurit. Nuk është kusht që flokët e hequra të peshohen. Nëse është shumë e vështirë për t’a bërë atë, mjafton t’a vlerësosh peshën dhe të japësh në këmbim monedhë letre ekuivalente me çmimin e asaj sasie ari ose argjendi.

I lutemi Allahut që të na mbrojë neve dhe fëmijët tanë nga çdo e keqe, dhe të na mbajë të sigurt dhe të shëndoshë në këtë botë dhe në botën tjetër!

Përshtati: Fatjon Isufi

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0