Mëso se kush janë sahabët r.a?

HomeArtikuj

Mëso se kush janë sahabët r.a?

SAHABËT ”O Profet i Zotit, për Allahun, nuk të themi ty siç i thanë bijtë e Israilit Musait: ‘’Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë k

Sa do lart të ngjtesh një ditë do të biesh posht?!
VALLË, A KA ARDHUR KOHA, TË CILËN E KA PARALAJMËRUAR PEJGAMBERI (ALEJHI SELAM)?
Mëso se: Kush konsiderohet si “Babai i Optikes”, dhe nga ku buron drita?

SAHABËT

”O Profet i Zotit, për Allahun, nuk të themi ty siç i thanë bijtë e Israilit Musait: ‘’Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu!Por, shko ti dhe Zoti yt, e ne do të luftojmë bashkë me ju!” (Mikdadi i biri i Amrit)

Lindja e një kolosi në një popull të caktuar të botës nuk përbën ndonjë çudi. Pasiqë në çdo popull kanë lindur kolosë. Te populli i mongolëve lindi Xhenkiz khani. Te grekët lindi Aleksandri i Madh. Te gjermanët lindi Bismarku. Tek italianët lindi Garibaldi. Veç këtyre u shfaqën shumë udhëheqës dhe mendimtarë të tjerë, të cilët kontribuan në ndryshimin e gjendjes së popujve të tyre të cilët u njohën në histori si kolosë. Edhe pse disa prej tyre ishin kolosë vetëm në sytë e popujve të tyre!

Ajo që të çudit në të vërtetë është që të shfaqet një brez i tërë kolosësh në një popull të vetëm, në një kohë të vetme, përnjëherësh! Jo për të ndryshuar vetëm gjendjen e popullit të tyre! Por për të ndryshuar Allahu nëpërmjet tyre gjendjen e mbarë botës, gjer në ditën e fundit! Nuk po flasim për një kolos të vetëm por po flasim për një brez të veçantë në llojin e vet! Një brez si i cili as ka njohur e as ka për të njohur ndonjëherë njerëzimi! Po flasim për shokët e Muhamedit birit të Abdullahit! Po flasim për brezin e sahabëve!

Sahabi quhet ai njeri, i cili është takuar me Profetin e Allahut,Paqja qoftë mbi të, duke qenë musliman dhe ka ndërruar jetë në këtë gjendje.

Këta kolosë Allahu i Madhëruar i ka përshkruar në formën më të bukur, në një verset kuranor tejet mahnitës. Arsyeja që ai verset është mahnitës është se ai është i vetmi verset në të gjithë Librin e Allahut në fjalët e të cilit janë mbledhur bashkë të gjitha shkronjat e gjuhës arabe! Asnjë nga shkronjat e alfabetit të gjuhës arabe nuk ka ngelur pa u përmendur në atë verset! Sekretin e shumëllojshmërisë së shkronjave të përmendura në të do të përpiqemi ta mësojmë pasiqë ta kemi cituar këtë verset të bukur,i cili është cekur në kapitullin El Fet’h:

”Muhamedi është i dërguari I Allahut. Ata të cilët janë me të janë të ashpër ndaj të pafeve dhe të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata tek bien në ruku dhe në sexhde duke kërkuar mirësinë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj rritet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit.(Kështu përshkruhen ata) me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh”

Që të të bëhet i mundur përjetimi i domethënies së këtij verseti të bukur në përshkrimin që ai i bën sahabëve të nderuar të duhet që ta imagjinosh këtë ilustrim të bukur hyjnor! Imagjino një fidan të vogël përqark të cilit çelin disa filiza të tjerë që e përforcojnë dhe e rrethojnë fidanin kryesor nga çdo anë! Filizat rrethues e përforcojnë dhe ia shtojnë atij qëndrueshmërinë! Falë këtyre filizave përforcues fidani i vogël bëhet i fortë dhe ngrihet lart drejt qiellit duke u bashkuar me to dhe duke u formuar kështu një trup i ri i fuqishëm dhe i qëndrueshëm zemra e të cilit është fidani kryesor ndërsa muret e tij janë ata filizat e dytë të cilët çelën nga fidani kryesor! Ai trup u ngrit lart plot krenari saqë bujqërit kur kalonin pranë tij mahniteshin tejmase! Nërkohë që njeriu mosbesues hidhërohej kur kalonte pranë tij tek shikonte fortësinë dhe qëndrueshmërinë e tij!

Për Allahun, nuk ka përshkrim tjetër në asnjë nga gjuhët e botës që t’i përshkruajë sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) më mirë se ky përshkrim i mrekullueshëm hyjnor!

Muhamedi, i dërguari i Zotit, është ai fidani kryesor nga, i cili çelën filizat e tjerë që janë sahabët e nderuar! Ndërsa bujqëritt, të cilët synojnë mënyrën e saktë të kultivimit janë besimtarët e sinqertë. Ata vështrojnë me kujdes fidanin e shëndetshëm për të mësuar nga ai bazat e kultivimit të saktë.(ky është një nga argumentet mbi obligueshmërinë e pasimit të traditës së sahabëve!) Ndërsa të pafetë hidhërohen nga bukuria dhe fortësia e tij! Andaj, nëse ti i mban mëri dikujt prej sahabëve sikur dhe një grimcë të vogël,dije mirë se ti je në rrezik të madh! Sepse ty të përshtatet fjala e Zotit të gjithësisë ”nëpërmjet tyre(sahabëve) Ai synon që të hidhërojë të pafetë”

Tashmë është më se e qartë arsyeja e vërshimit të sulmeve mediatike kundra sahabëve të Profetit (Paqja qoftë mbi të!)! Sepse sahabët simbolizojnë atë murin e fortë, i cili rrethon zemrën që simbolizon Profetin (Paqja qoftë mbi të!) Sakaq, nëse pushtuesit arrijnë të shembin murin e fortë të kësaj ndërtese të fortë atëherë terreni për të sulmuar zemrën do të mbesë i hapur! Për t’a shpjeguar këtë më mirë, më duhet të them se nëse ne i lejojmë orientalistët dhe bashkëpunëtorët e tyre nga radhët e hipokritëve që të sulmojnë dhe të hedhin hije dyshimi mbi figurën e sahabëve padyshim që shumë shpejt ky sulm do t’i drejtohet vetë figurës së Profetit (Paqja qoftë mbi të!) Pikësynimi kryesor i këtyre pushtuesve është pikërisht zemra e ndërtesës e cila është vetë Profeti!

Kritika drejtuar një sahabiu cilido qoftë ai bën që feja islame të vihet përballë rrezikut! Janë pikërisht këta njerëz të cilët përçuan deri te ne Kuranin dhe traditën profetike! Me fjalë të tjera, ata na e përçuan neve fenë islame. Nëse ne vëmë në dyshim përçuesit dhe mbartësit e fesë, s’ka dyshim se do të vëmë në dyshim edhe vetë fenë!

Të pranosh kritikën ndaj këtyre kolosëve do të thotë të pranosh se Kurani dhe suneti që ata na kanë përçuar nuk janë të saktë! E për rrjedhojë, ky version i fesë islame që ne njohim nuk është autentik! Të pranosh kritikën që i drejtohet sahabëve do të thotë të pranosh të shuhet feja islame e bashkë me të të shuhemi edhe ne në fund!

Për Allahun, nëse dikush do t’ju ofendonte një mik tuajin me siguri që ju do të hidheshit përpjetë dhe do i jepnit një shuplakë fytyrës! Mjerë për ju, si është puna me ju! A nuk meritojnë sahabët që ne t’i mbrojmë ata ashtu si e mbrojtën ata mikun e tyre (Profetin),në mbrojtjen e të cilit dhanë edhe jetët e tyre! S’ka dyshim se t’i dalësh sahabëve në mbrojtje do të thotë t’i dalësh vetë Islamit në mbrojtje! Këta gjigandë nuk u bënë të mëdhenj nga hiçi! Përkundrazi, para se çdonjëri prej tyre të kthehej në një nga kolosët e brezit të vet, ata ishin fryt i tre faktorëve themelorë që ndikuan në formimin e personalitetit të secilit prej tyre:

Faktori i Parë: përzgjedhja hyjnore.

Allahu e përzgjodhi të dërguarin e Tij nga mesi i gjithë njerëzimit që ai t’i përçonte botës mesazhin e Tij të fundit. Por jetëgjatësia e këtij të dërguari, si njeri që ishte, ishte e kufizuar. Andaj lypsej që Allahu të përzgjidhte për të dikë që t’a përkrahte atë,sa ishte gjallë, në përmbushjen e misionit të tij. Dhe më pas, pas vdekjes së tij, mesazhin e tij t’ia përçonte popujve të tjerë të botës, të paprekur dhe të pashtrembëruar! S’ka se si të bëhej i qartë ndryshe argumenti i Zotit ndaj njerëzimit mbi përçimin e mesazhit autentik tek ata! Nuk i lypset shumë zgjuarsi atij që i studion me kujdes historitë e sahabëve që të kuptojë siç duhet se Allahu i Madhërishëm i përzgjodhi ata një për një që të përmbushnin misionin për të cilin u krijuan. Fisi Eus dhe fisi Hazrexh nuk ishin me origjinë nga Medineja. Ata rridhnin nga fisi Ezd i cili u shpërngul nga Jemeni fill pas shembjes së digës së Me’rebit. Kush i shtyu ata që të zgjidhnin Medinen si vendbanimin e tyre të ri ku disa vite më pas u shpërngul i dërguari i Allahut! Madje,pikësëpari,kush bëri që diga e Me’rebit të shembej? Selman Farisiu u shpërngul në një aventurë të habitshme nga tokat perse në tokat e Shamit e më pas në ato të Irakut e më pas në ato të Turqisë në kërkim të së vërtetës së përjetshme, por nuk pati sukses! E pasiqë ai personalisht nuk arriti që ta gjejë të vërtetën atëherë një bandë kusarësh e rrëmbyen dhe e çuan atë pikërisht në Medine, pa dëshirën e tij! (Aty ku e gjeti të vërtetën që e kërkonte prej vitesh!)

Faktori i dytë: Edukata Profetike.

Mbase ajo që më së shumti i dallon sahabët nga pjesa tjetër e njërëzimit në të gjitha kohërat është fakti se ata patën fatin që të mësojnë drejtpërdrejt nga mësuesi më i madh i njerëzimit Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) Kjo bëri që ata të njihen në histori si nxënësit më të mëdhenj të mësuesit më të madh në botë! Sahabët e morën ujin nga burimi të kulluar,të papërzier me ndonjë element të dyshimtë. Ndërkohë që ne e kemi marrë atë të përzier me elementë të dyshimtë të shumtë! Andaj, medoemos konceptimi i tyre ndaj Kuranit dhe Sunetit është më i qëlluar se ai i joni! Kjo, sepse ata bashkëjetuan në mënyrë faktike me Profetin. E për pasojë, konceptimi i tyre ndaj Kuranit dhe Sunetit është pikërisht konceptimi i saktë i fesë! Dhe ne jemi të detyruar që Kuranin dhe Sunetin ta konceptojmë sipas konceptimit të tyre e jo sipas konceptimit tonë personal! Prandaj, nëse sahabët e kanë komentuar një verset kuranor në një formë të caktuar dhe vjen dikush nga muslimanët e mëvonshëm dhe e komenton atë ndryshe atëherë komentimi i sahabëve gjykohet si komentimi i saktë pa asnjë dilemë! Kjo sepse ata kanë përjetuar momentet e shpalljes së verseteve kuranore dhe i njihnin shkaqet e zbritjes së tyre dhe e njihnin domethënien e përmbajtjes së tyre! Kështuqë mënyra e sahabëve në zbatimin e Kuranit dhe sunetit gjykohet si mënyra e saktë e zbatimit të fesë islame!

Faktori i tretë: Beteja me vetveten.

Kohëve të fundit nëpër qarqet e rinisë së epokës së rizgjimit na ndodh që të dëgjojmë një shprehje që përsëritet shpesh; hapini për ne dyert e luftës së shenjtë! S’ka dyshim se këta të rinj i kanë lexuar tregimet mbi aktet e mëdha heroike që realizuan heronjtë e sahabëve andaj ata kërkojnë që t’i imitojnë duke bërë thirrje për hapjen e derës së luftës së shenjtë. Mirëpo e vërteta e cila nuk u ka shkuar atyre nëpër mend është se çështja e luftës së shenjtë nuk është aspak aq e thjeshtë! Ajo që na takon neve para se të mendojmë për luftën e shenjtë është që t’i drejtojmë vetes pyetjet: A e fal namazin e sabahut në kohën e tij? Lëre më nëse e fal apo jo në xhami! A çohesh natën për të falur namazin e natës? A e len dot pa e ndjekur ndeshjen e ekipit kombëtar kur thirret ezani për faljen e namazit? A merresh me ushtrime fizike ose a din të vraposh të paktën? Ose a e len dot duhanpirjen para se të angazhohesh me luftën e shenjtë?

Është interesant fakti se si shumë prej të rinjve, megjithë synimet e drejta që kanë në kërkesën e tyre për luftën e shenjtë, mendojnë se për t’u bërë hero siç ishin heronjtë e sahabëve në betejën e Bedrit dhe Uhudit mjafton që të hedhësh krahëve një armë dhe ja ku u bëre! Në fakt rruga e luftës së shenjtë është shumë më e gjatë nga ç’mund të mendohet, mbase fundi i saj është rrokja e armëve! (e jo fillimi siç mendojnë disa!) Sahabët e nderuar nuk arritën t’i realizojnë ato akte heroike dhe të fitojnë atë lavdi të përjetshme vetëm se pas një beteje të ashpër,e cila ishte më e madhe se ajo që kërkojnë të rinjtë tanë në ditët e sotme! Është pikërisht beteja me vetveten! Metali i fortë nuk bëhet aq i fortë vetëm pasi të dalë nga poçeja përvëluese e zjarrit! Lëkura e Mus’abit birit të Umejrit, para se të mbarte flamurin e Islamit në betejën e Uhudit, fëshfëriste në Mekë pasi pranoi Islamin! Sahabëve nuk iu desh më shumë se një vit në Medine për të triumfuar në betejën e Bedrit ndërkohë që iu deshën trembëdhjetë vite në Mekë për të ndërtuar burra të fortë, të cilët nuk i druheshin vdekjes! Mbase surprizohesh nga fakti se namazi i natës ishte i detyrueshëm në fillimet e propagandës islame! Madje rrokja e armëve për të luftuar ishte e ndaluar përgjatë gjithë periudhës mekase në mënyrë që t’u bëhej e mundur vazhdimësia afatgjate e disiplinimit vetjak, pikërisht beteja me vetveten!

Përktheu Rexhep Milaqi

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0