Masat e reja anti-COVID, që hyjnë në fuqi nga nesër!

HomeLajme

Masat e reja anti-COVID, që hyjnë në fuqi nga nesër!

Autor. Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të

Përmbytjet në Vlorë: Uji i Vjosës arrin nivelin 8 metra, evakuohen 37 familje
Aksidenti tragjik në Bullgari, autobusi i djegur largohet nga vendi i ngjarjes (VIDEO)
Aksident me fatalitet në Han të Elezit, vde-s një këmbësor

Autor.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike.

Me masat e reja kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërkaq shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00, raporton Telegrafi.

Ky është vendimi i Qeverisë me të gjitha masat anti-COVID:

V E N D I M
Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial] 1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës] 2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës
Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;
2.2 Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
3. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.2
lirohen:
3.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja kufitare;
3.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
3.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
3.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
3.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;
3.6 Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;
3.7 Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë (7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;
3.8 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të administruar jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
3.9 Personat nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë] 4. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:
4.1 Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
4.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë;
5. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike, private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 deri 4.2.
6. Punëdhënësit publik e privat, si dhe subjektet tjera obligohen që mbështetur në nevojat dhe natyrën e punës së tyre, të identifikojnë dhe të përcaktojnë stafin esencial, si dhe të organizojnë punën vetëm me këtë staf.
7. Punëdhënësit publik dhe privat, si dhe subjektet tjera udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial, sipas nevojave të punëdhënësit.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës] 8. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.
10. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
11.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2 Gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike;
11.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
12. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
13. Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 12 dhe posedimin e dëshmive sipas pikës 4.1 dhe 4.2.

D. [Kufizimi i qarkullimit] 14. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
14.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
14.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
14.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës;
14.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
14.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 16, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.
15. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 14 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
16. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.

Dh. [Institucionet e arsimit] 17. Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK të datës 20.01.2022..
18. Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.
19. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, mund të zhvillohet me prani fizike me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.
20. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
21. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
22. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
23. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas pikës 20, 21 dhe 22, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale] 25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0