Cilat janë veprat më të dashura tek Allahu

HomeArtikuj

Cilat janë veprat më të dashura tek Allahu

Çdo besimtar që e do Allahun, përpiqet që të zgjedhë ato fjalë, të veprojë ato vepra dhe të përfitojë nga ato vende që janë të dashura për Allahun e L

O i dërguari i Zotit! Kam halle e preo’kupime si të veprojë ?
Piu ujë dhe qau!
3 Urtësitë E Lutjes Së Junusit Alejhi Selam !

Çdo besimtar që e do Allahun, përpiqet që të zgjedhë ato fjalë, të veprojë ato vepra dhe të përfitojë nga ato vende që janë të dashura për Allahun e Lartësuar, si dhe të përsoset me ato cilësi që e kënaqin Atë, pasi Ai e di se nuk ka për të qenë ai qëshkoi Rrugës së Tij njësoj me dikë që jetoi pa asnjë udhëzim.

Dhe se tek Allahu çdo vepër e mirë, qoftë ajo fjalë apo punë e vyer, është e dashur nga Allahu i Plotfuqishëm, ngase Ai i do ato vepra që i ka urdhëruar dhe i urren ato vepra që i ka ndaluar.Mirëpo,përmendja me tekst, specifikisht, e diçkaje për të treguar se ajo vepër është e dashur për Allahun e Lartësuar, tregon rëndësinë që ajo vepër ka tek Ai, ose është një nxitje dhe përkujtim për njerëzit e pavëmendshëm, në mënyrë që t’u tërheqë vëmendjen, në mënyrë që t’i kushtojnë edhe më shumë kujdes.

Në lidhje me temën se “cilat janë veprat më të dashura tek Allahu”, kanë ardhur hadithe të shumta, ku në krye të të cilave qëndron kryerja e farzeve. Ngase, Allahu i Plotfuqishëm nuk e ka bërë një vepër farz (pra, të detyrueshëm) për robërit e Tij, vetëm se Ai e ka dashur që ajo vepër të vihet në zbatim nga robërit e Tij besimtarë, ashtu siçAi ka thënë në një hadith Kudsij: «Nuk më është afruarrobi im me asnjë prej veprave që më pëlqejnëMua më shumë sesa me ato që Unë ia kam bërë atij farz (të detyrueshme).» Tra. Buhariu

Dhe prej veprave farz më të rëndësishme, më të nderuara dhe më të mira është falja e namazit. Prandaj, të shumta kanë ardhur tekstet që tregojnë se sa shumë i dëshiron Allahu kryerjen e namazeve dhe se sa shumë i do Allahu vendet e tyre (xhamitë). Në një hadith që e transmeton Ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është transmetuar të ketë thënë: “ E pyeta të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe i thashë: “Cila vepër është më e dashura tek Allahu? Më tha:««أَيُّ الْعَمَلِ أَحَبُّ إِلَى اللَّهِ؟ قَالَ: الصَّلَاةُ عَلَى وَقْتِهَا»»«Falja e namazit në kohën e vet!» Mutefekun alejhi.

Le të meditojmë pak tani rreth këtij hadithi madhështor, në lidhje me rëndësinë dhe mirësinë e madhe që ka falja e namazit, si dhe të bëjmë krahasimin me mangësinë e treguar prej shumicës së njerëzve në lidhje me të, prej të cilëve ka që u ka humbur namazi me xhemat, ka që e vonojnë atë duke mos e falur në kohën e vet, veçanërisht namazin e sabahut. Ndërkohë që në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: «إِنَّ أَحَبَّ الْعَمَلِ إِلَى اللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ تَعْجِيلُ الصَّلَاةِ لِأَوَّلِ وَقْتِهَا» – «Vepra më e dashur tek Allahu i Lartësuar është ta falësh namazin sapo të hyjë koha e tij.» Tra. Ahmedi

E meqë namazi ishte vepra më e dashur tek Allahu, automatikisht edhe vendet në të cilat kryhen këto namaze janë vendet më të dashura për Të, siç ka ardhur në një hadith të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënqur prej tij, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: «أَحَبُّ الْبِلَادِ إِلَى اللَّهِ مَسَاجِدُهَا، وَأَبْغَضُ الْبِلَادِ إِلَى اللَّهِ أَسْوَاقُهَا»- «Vendet më të dashura për Allahun në tokë, janë xhamitë dhe vendet më të urryera për Allahun në tokë, janë tregjet.» Tra. Muslimi

Po ashtu, falja e namazit me xhemat të madh është më e mirë se me xhemat të pakët, kështu që namazi që falet në ato xhamia ku njerëzit shtyhen për t’u falur, është shumë herë më i mirë se ai që falet në ato xhamia që xhemati që falet aty është i pakët, bazuar në hadithin e transmetuar nga Ubej ibën Keab, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: «…صَلَاةُ الرَّجُلِ مَعَ الرَّجُلِ أَزْكَى مِنْ صَلَاتِهِ وَحْدَهُ، وَصَلَاةُ الرَّجُلِ مَعَ الرَّجُلَيْنِ أَزْكَى مِنْ صَلَاتِهِ مَعَ الرَّجُلِ، وَمَا كَانُوا أَكْثَرَ فَهُوَ أَحَبُّ إِلَى اللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ »- « Namazi i një burri me një burrë tjetër është më i mirë se falja e namazit të tij vetëm, ndërsa namazi i një burri me dy burra të tjerë është më i mirë se namazi i tij vetë i dyti, dhe se sa më shumë të jenë ata që falen aq më i dashur është namazi i tij tek Allahu i Lartësuar.» Tra. Nesaiu

Prej namazeve nafile (vullnetare) dhe agjërimit vullnetar më të dashura tek Allahu është namazi dhe agjërimi vullnetar i Daudit, alejhi selam, siç ka ardhur në një hadith nga Abdullah ibën Amër ibë A’as, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, iu ka drejtuar atij duke i thënë: «أَحَبُّ الصَّلَاةِ إِلَى اللَّهِ صَلَاةُ دَاوُدَ عَلَيْهِ السَّلَامُ، وَأَحَبُّ الصِّيَامِ إِلَى اللَّهِ صِيَامُ دَاوُدَ، وَكَانَ يَنَامُ نِصْفَ اللَّيْلِ وَيَقُومُ ثُلُثَهُ، وَيَنَامُ سُدُسَهُ، وَيَصُومُ يَوْمًا، وَيُفْطِرُ يَوْمًا» – «Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Daudit, alejhi selam, dhe agjërimi më i dashur tek Allahu është po prapë agjërimi i Daudit. Ai flinte gjysmën e natës dhe falej një të tretën e saj, pastaj flinte një të gjashtën e saj, si dhe një ditë agjëronte dhe një ditë nuk agjëronte.» Mutefekun alejhi

Fjalët më të dashura tek Allahu i Lartësuar është përmendja dhe lartësimi i Tij, siç ka ardhur në hadithin që e transmeton Muadh ibë Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur prej ti, i cili ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të: «أَيُّ الْأَعْمَالِ أَحَبُّ إِلَى اللَّهِ؟ قَالَ: أَنْ تَمُوتَ وَلِسَانُكَ رَطْبٌ مِنْ ذِكْرِ اللَّهِ» – «Cilat janë veprat më të dashura tek Allahu? Tha: “Të të gjejë vdekja dhe gjuha jote duke qenë e lagur nga përmendja e Allahut.» E saktësoi Ibën Hibani.

Po ashtu, dhikri dhe përmendja më e dashur tek Allahu është ajo që është transmetuar në hadithin e Semurate ibën Xhundub, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: «أَحَبُّ الْكَلَامِ إِلَى اللَّهِ أَرْبَعٌ: سُبْحَانَ اللَّهِ، وَالْحَمْدُ لِلَّهِ، وَلَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ، وَاللَّهُ أَكْبَرُ. لَا يَضُرُّكَ بِأَيِّهِنَّ بَدَأْتَ» – «Fjalët më të dashura tek Allahu janë katër: Subhanallah(i Pastër e larg të metave është Allahu), Elhamdulilah(falënderuar qoftë Allahu), La ilahe il’Allah(nuk ka zot tjetër që e meriton adhurimin përveç Allahut)dhe Allahu Ekber(Allahu është më i madhi), nuk është problem me cilëndo që të fillosh përpara.» Tra. Muslimi

Dhe se prej veprave më madhështore që Allahu ia ka mundësuar robit të Tij është që të dominojë në gjuhën e tij ai fjalor dhe ato fjalë që e kënaqin Allahun e Lartësuar, siç është dhikri (përkujtimi) i Allahut, lartësimi i Tij, falënderimi i Tij, madhërimi i Tij dhe thënia La ilahe il’Allah.

Ku prej dhikrit të Allahut të Lartësuar është edhe recitimi i Kuranit Fisnik, siç është përmendur në një hadith ku tregohet se përmendja më e dashur tek Allahu janë disa sure nga Kurani, siç transmeton Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: “U ula pranë Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut, ma lexo mua surën Hud dhe surën Jusuf. Aty i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, më tha: يَا عُقْبَةُ، إِنَّكَ لَنْ تَقْرَأَ مِنَ الْقُرْآنِ سُورَةً أَحَبَّ إِلَى اللَّهِ وَلَا أَبْلَغَ عِنْدَهُ مِنْ قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ – «O Ukbe, ti nuk ke për të gjetur të lexosh sure më të dashur për Allahun dhe më madhështore tek Ai sesa leximi i sures:“Kul eudhu birabil-felek (Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të fillesës)”» Tra. Ahmedi dhe Darimiu.

Po ashtu xhihadi më i dashur tek Allahu i Lartësuar është thënia e së vërtetës dhe shpalosja e saj përpara atij prej cilit ti ke frikë se mos të bën keq, apo largimi i një të keqeje prej tij, apo pengimi i një fitneje, apo i një belaje, siç ka ardhur në hadithin e Ebu Umames, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:«أَحَبُّ الْجِهَادِ إِلَى اللَّهِ كَلِمَةُ حَقٍّ تُقَالُ لِإِمَامٍ جَائِرٍ». – «Xhihadi më i dashur tek Allahu është thënia e së vërtetës përpara udhëheqësit mizor.»

Mirëpo feja Islame është fe e tolerancës dhe e lehtësisë, prandaj ekstremizmi dhe ashpërsia ka qenë gjithmonë e qortuar në të, mirëpo mbështetja e së vërtetës është më e dashur tek Allahu i Lartësuar, siç është transmetuar se Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: E pyetën të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, se cila fe (praktikë besimi) është më e dashur tek Allahu? Ai tha: الْحَنِيفِيَّةُ السَّمْحَة – « Ajo fe (praktikë) që është më larg idhujtarisë dhe që është e mëshirshme.» Tra. Ahmedi

Po ashtu, nga Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: «إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ أَنْ تُؤْتَى رُخَصُهُ كَمَا يَكْرَهُ أَنْ تُؤْتَى مَعْصِيَتُهُ» – «Vërtet Allahu e pëlqen që të shfrytëzohen lehtësimet (e Tij) ashtu siç Ai e urren që të kryhen gjynahet që e kundërshtojnë Atë.» Tra. Ahmedi

Lehtësimi për të cilin bëhet fjalë këtu është ai që vjen nga një fekih studiues, dhe nuk është ai lehtësim që pretendojnë injorantët dhe të humburit, të cilët nëpërmjet tij hedhin poshtë një obligim të detyrueshëm ose i konsiderojnë të ndaluarat të lejuara; siç bëjnë ndjekësit e qejfeve dhe të injorancës me mjetet e tyre të informacionit, për të devijuar kështu masat, si dhe për t’i nxjerrë ata nga feja e tyre, me zbukurimin e kënaqësive të tyre dhe me mposhtjen e tyre nëpërmjet dyshimeve. Sufjan eth-Theurij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: «إِنَّمَا الْعِلْمُ عِنْدَنَا الرُّخْصَةُ مِنْ ثِقَةٍ» – «Dija e vërtetë tek ne është të njohësh se deri ku është lehtësimi, e thënë kjo nga dikush i besueshëm (në mesin tonë).» Po ashtu, transmetohet se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë: «مَا خُيِّرَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ بَيْنَ أَمْرَيْنِ، أَحَدُهُمَا أَيْسَرُ مِنَ الْآخَرِ، إِلَّا اخْتَارَ أَيْسَرَهُمَا، مَا لَمْ يَكُنْ إِثْمًا، فَإِنْ كَانَ إِثْمًا، كَانَ أَبْعَدَ النَّاسِ مِنْهُ»- «Nuk është përballur i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, me dy zgjedhje e që ai të mos zgjidhte atë që ishte më e lehtë se tjetra, për aq kohë sa nuk ishte gjynah. E nëse do të ishte gjynah, atëherë ai ishte njeriu më i largët prej saj.» Tra. Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa më e dashura punë tek Allahu prej punëve të zemrave, është siç ka ardhur në hadithin e Ebu Dherrit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: Një ditë prej ditësh na u afrua i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe na tha: «أَتَدْرُونَ أَيُّ الْأَعْمَالِ أَحَبُّ إِلَى اللَّهِ؟ قَالَ قَائِلٌ: الصَّلَاةُ وَالزَّكَاةُ، وَقَالَ قَائِلٌ: الْجِهَادُ، قَالَ: إِنَّ أَحَبَّ الْأَعْمَالِ إِلَى اللَّهِ الْحُبُّ فِي اللَّهِ، وَالْبُغْضُ فِي اللَّهِ» – «A e dini se cila punë është më e dashura tek Allahu? Dikush tha: “Falja e namazit dhe dhënia e zekatit” dhe dikush tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut.” Atëherë ai tha:Vepra më e dashur tek Allahu është të duash për hir tëAllahut dhe të urresh për hir të Allahut!» Tra. Ahmedi

E lusim Allahun e Lartësuar që të na i pranojë neve dhe gjithë muslimanëve veprat e mira, dhe na udhëzoftë e na dhëntë sukses t’i arrijmë ato vepra që më së shumti i pëlqejnëdhe me të cilat Ai është i kënaqur, si dhe të na bëjëprej robërve të Vet vepërmirë.Vërtet Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve.

Përshtati: BashkimSelmani

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0